PËRSE VJEN BINDJA DEMOKRATIKE?
Bindja Demokratike është ide, nuk është pronë, as biznes apo njeri. Ajo ka lindur nga bindja e fortë e qytetarëve të lirë të këtij vendi për një projekt të ri politik. Bindja Demokratike është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri. Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët. Ne jemi të bindur se Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri.