Alternativa e re e së djathtës, Bindja Demokratike, mbylli ditën e djeshme fushatën e saj elektorale.
Kjo forcë politike zgjodhi Shkodrën për të përcjellë mesazhet e fundit, qytet te i cili ka pritshmëritë më të larta elektorale pas kryeqytetit.
Lideri i kësaj partie Astrit Patozi në fjalën e tij tha se Bindja Demokratike nuk lufton për pushtetin e saj, tifozllëkun apo fanatizmin politik, por për ndryshimin e Shqipërisë.
“E nisëm këtë fushatë nga Shkodra dhe po e mbyllim këtu. Nuk ka simbolikë më të bukur për një rezultat domethënës për ndryshimin e madh që do nisë nga Shkodra. Ky qytet e meriton për vlerën që ka në historinë e vjetër dhe të re të historisë së Shqipërisë”, tha Patozi.
Ai tha se historia e Bindjes Demokratike është një histori dinjiteti, besimi, vlerash dhe parimesh.
“Duhet të jeni krenarë sepse kemi bërë gjënë e duhur jo veç për Shkodrën por për gjithë Shqipërinë. I kemi dhënë vendit një alternativë të re. I kemi dhënë një portë tjetër për të djathtën shqiptare. Nuk i kemi tradhtuar bindjet tona, por ama s’jemi të djathtë të verbër. Ne jemi të djathtë që kërkojmë ndryshimin. Ne jemi këtu që qeveria e Edi Ramës të rrëzohet por veç kjo nuk mjafton. Ne duam që cilido kryeministër i ardhshëm, të mos jetë si ky që do iki. Ai duhet të jetë kryeministër i Shqiptarëve dhe jo i korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e të gjithë të zezat që kanë shkaktuar tre kryetarët e partive kryesore në Shqipëri”, tha Patozi ku hoqi një paralele edhe me ngjarjet e fundit në qytetin e Elbasanit që trazuan situatën politike në vend.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se:
“Vijmë në Shkodër në një klimë jo fort të qetë në Shqipëri. Po të keni parasysh ngjarjen e Elbasanit do të kuptoni se ka parti të vjetra dhe abuzues pushteti që janë gati të shkelin mbi kufoma për të marrë pushtet ose mos dorëzuar pushtet. Ne nuk duam që asnjë shkodrani dhe asnjë shqiptari mos i hyjë asnjë gjemb ferre dhe mos i lëvizë një qime floku për mandatin e Astrit Patozit apo Tonin Uldedajt. Ne nuk e kemi qëllim pushtetin por duam që përmes tij të ndryshojmë vendin. Jemi të djathtë por e respektojmë kundërshtarin për ta mundur”, nënvizoi Patozi teksa ftoi qytetarët të ndjekin bindjen e tyre.
Në një organizim brenda protokolleve të shëndetësisë, drejtuesi i qarkut të Shkodrës Tonin Uldedaj tha se Bindja Demokratike ofroi një fushatë të civilizuar dhe model për forcat e tjera politike.
“Miqtë e mi!
Më lejoni t’ju falënderoj me shpirt që punuam së bashku në këtë periudhë të fushatës elektorale. Në emrin tuaj t’i uroj dua t’i uroj mirëseardhjen kreut të Bindjes Demokratike Astrit Patozi. Ishin vërtetë ditë të lodhshme por të bukura. Ju jeni njerëzit më të afërt të mi në këtë fushatë elektorale që zhvilluam në qarkun e Shkodër. Mendova ta mbyllim sot me entuziazmin e ditëve të para që na kanë karakterizuar në këtë fushatë. Ju falënderoj për fushatën e qytetëruar pasi u bëmë shembull në të gjithë qarkun. Së bashku i thamë të gjithëve se kjo është fushata që duhet bërë. Ka jo pak halle ky vend dhe ne i hasëm thuajse në çdo derë ku trokitëm nga Fushë-Arrëz, Klemend, Dukagjin, Velipojë”, tha ai duke shtuar se:
“Ndryshe nga partitë e tjera nuk jemi marrë të shajmë partitë e tjera por të njihemi me problematikat e qytetarëve dhe të ofrojmë zgjidhjen. Ne do jemi shembull dhe model i fushatave elektorale. Kështu siç e vazhduam ta çojmë deri në fund, model për partitë kuçedra”, përfundoi Uldedaj.
Bindja Demokratike garon më 25 prill më 25 prill ku kërkon votëbesimin e qytetarëve për të përfaqësuar programin e saj në parlamentin e katër viteve të ardhshme.